Kastrati: Ushtria e Kosovës do të bëhet këtë vit

Sipas Kadri Kastratit FKS-ja ka qenë e gatshme të bëhet ushtri që nga viti 2014

Më shumë se tri dekada barti uniformën ushtarake. Pas këtyre viteve shërbimi si ushtarak iu rrek politikës. Dhe për të shërbyer në këtë sferë iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës. Ndonëse pati oferta edhe nga partitë tjera zgjodhi PDK-në që tash udhëhiqet nga Kadri Veseli e për 16 vjet u drejtua nga Hashim Thaçi.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati në një intervistë për KP tregoi edhe arsyen pse iu bashkua PDK-së, e jo partive tjera.

Kastrati që vjen nga Podujeva është në mesin e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit. Edhe pse PDK ka hyrë në koalicion me AAK-në dhe Nismën, ish-komandanti i FSK-së ia ka arritur që të futet në listë për deputet krahas edhe dy kolegëve që vijnë nga dega e Llapit.

Kastrati falënderon degën e Podujevës e cila e ka nominuar për kandidat, por njëkohësisht edhe kryetarin e partisë që e ka pranuar këtë nominim.

Kastrati tregoi edhe për koalicionin me AAK-në dhe Nismën për të cilin tha se është koalicion që ka guxim dhe brenda tij ka njerëz vizionarë që marrin vendime. Ai është i bindur se koalicioni do të fitojë dhe  vetëm iu duhet që t’i bëjnë 60 deputetë dhe se me Ramush Haradinajn kryeministër, ushtria e Kosovës do të bëhet këtë vit.

Edhe pse bërjen e ushtrisë pa ndryshime  kushtetuese e kanë kundërshtuar Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e BE-së, Kastrati thotë se edhe partnerët strategjikë do të binden që nëse serbët nuk pranojnë ta votojnë ushtrinë do ta përkrahin formimin e saj. Pasi që sipas tij SHBA-ja e cila ka investuar shumë në dizajnimin, në përgatitjen e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura do të jenë të bindur që tjetër zgjidhje nuk ka.

Njeriu i cili ka qenë epror i lartë në UÇK në Zonën Operative të Llapit që  nga paslufta ka shërbyer  në TMK, FSK e pastaj edhe në krye të kësaj force thotë se FSK-ja ka qenë e gatshme që të bëhet ushtri qysh në vitin 2014.

Kastrati,  i cili aderoi në PDK vetëm disa javë para shpalljeve të zgjedhjeve të parakohshme beson se PDK-ja në Llap kësaj radhe do të dalë fituese e zgjedhjeve. Sipas tij të vetmet investime që janë bërë në trevën nga vjen ai janë bërë nga Qeveria e cila është udhëhequr nga PDK-ja.

Kastrati beson se ka ende për t’i dhënë Kosovës dhe shpreson  se ushtarët e tij dhe popullata do ta vlerësojë këtë. Ai premton se për të qenë më afër qytetarit me shpenzime të veta do të hapë një zyrë në Podujevë

Ndonëse nuk e di ende se a do të marr votat e mjaftueshme për deputet, si duket Kastrati i PDK-së ka ende nostalgji për ushtrinë. Nëse do të zgjidhte në mes të deputetit dhe ndonjë posti tjetër ai thotë se më me dëshirë do ta pranonte postin e ministrit të FSK-së.

Gjenerallejtënati nga Katunishta nuk frikësohet nga konkurrentët  e tij, të cilët disa nga ta kanë qenë eprorë të UÇK-së dhe së bashku kanë marrë pjesë në beteja të ndryshme në Zonën e Llapit. Për këtë  bazohet në të kaluarën e tij siç thotë pa afera dhe kontribute i tij para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

 

Back to top button