Kastriot Rexhepi thotë se ka pranuar mesazhe kërcënuese

Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Kastriot Rexhepi, në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se gjatë ditës së enjte ka marrë mesazhe kërcënuese. Si rrjedhojë, Rexhepi thotë se është konsultuar me autoritet përkatëse, të cilët kanë vendosur që t’i ndajnë sigurim personal.
“Kur bëhet fjalë për presione dhe kërcënime, unë këtë nuk ua kam komunikuar as më të afërmve, as familjes, të cilëve i kërkoj falje. Gjatë ditës deri sa kam pasur telefonat e mbyllur, kam marrë mesazhe që janë paraqitur në institucione dhe për shkak të vlerësimit të situatës, për këtë kam sigurim, dhe jo me kërkesë timen”, deklaroi mes tjerash Rexhepi.
I pyetur se nga kush i ka marrë mesazhet kërcënuese, Rexhepi refuzoi të përgjigjet, me arsyetimin se deklaratat e tij do të dëmtonin procesin hetues të organeve të rendit.
Tutje, ai tha se vazhdon të mbetet deputet i Lëvizjes Besa.
Rexhepi theksoi se e kupton kryetarin e partisë Bilall Kasami dhe shton se nuk ka marrë njoftim zyrtarë për përjashtim nga partia.
“Unë jam deputet i Lëvizjes Besa, koordinator i grupit parlamentar të Besës, dhe derisa nuk ndryshohet, unë do të vazhdojë të veproj si i tillë”, tha Rexhepi.
“E kuptoj kryetarin për veprimin që e ka bërë atë në presion. Vazhdoj ta respektojë. Për çështje partiake do të bisedojmë në forume partiake”, tha mes tjerash Rexhepi./TV21

Back to top button