Katar 2022: Vaksina kusht për lojtarët pjesëmarrës
Sot në shtypin botëror sportiv, bëri zhurmë të madhe vendimi i ardhshëm i Katarit për të aplikuar vaksinimin e detyruar për t’u mbrojtur nga pandemia për çdo lojtar dhe anëtar stafi që do të marrë pjesë në Kupën e Botës në vitin 2022.
“The Atletic”, faqja e madhe sportive në Angli shkruajti se një vendim i tillë mund të prekë shumë lojtarë të cilët nuk kanë pranuar të vaksinohen dhe ky do të kthehet një problem për skuadrat, trajnerët dhe Federatat.
Gjithashtu, gazeta e madhe “Blick” ka shkruar për këtë rast duke e lidhur me Granit Xhakën.
Lojtari shqiptar, kapiteni i helvetëve pak javë më parë rezultoi pozitiv me Covid-19 dhe siç shkruajtën shtypi anglez, ai nuk kishte pranuar të vaksinohej më parë.
“Blick” shkruan se një vendim i detyrueshëm nga Katari mund të prekë rastin Xhaka ndërsa një shqetësim të tillë mund ta kenë shumë skuadra të tjera.
FIFA dhe autoritetet e Katarit po punojnë që të arrijnë në një vendim të përbashkët që nuk do të cënonte yjet e Botërorit dhe një ide është testimi masiv dhe i shpeshtë, çdo tre ditë i lojtarëve në Kupën e Botës.
“Në kuadër të pandemisë nga Covid-19, Katari si vendi pritës, do të marrë masat e nevojshme të sigurisë për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve njerëzve të përfshirë në këtë eveniment”, tha një zëdhënës i FIFA-s për “The Athletic”./OraNews