Shoqëria civile kërkon transparencë për Fondin e Sigurisë

Katër organizata joqeveritare kanë kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe nga Agjencia për Privatësi dhe Informacion që të bëjnë publike informacionet që lidhen me Fondin e Sigurisë.

Organizatat joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja “FOL” dhe Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) vlerësojnë se klasifikimi i informacioneve lidhur me Fondin e Sigurisë si “konfidenciale” tashmë është shfuqizuar dhe se informatat lidhur me shumën e mbledhur nga një fond vullnetar duhet të jenë publike.

“Klasifikimi i këtij dokumenti ishte bërë, duke bazuar në Ligjin tashmë të shfuqizuar për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë Nr. 08/L-175. Nënvizimi se ‘hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë është arsyetim abstrakt, i cili nuk mbështetet në fakte. Interpretimi kaq i gjerë i cenimit të ‘sigurisë rajonale dhe më gjerë’ përmes informatave në lidhje me shumën e mbledhur nga një fond vullnetar, është qartazi i pabazuar”, thuhet në kërkesën e tyre.

Për më tepër, thuhet se një deklarim i tillë, është edhe paradoksal “meqenëse të gjitha ligjet për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës ofrojnë të dhëna të detajuara mbi buxhetin e tërësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kështu, është paradoksale që buxheti bazë i Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë i publikuar në detaje derisa shumë e një fondi vullnetar të jetë konfidenciale”.

Përmes vendimit të ish-drejtorit të Thesarit, Ahmet Ismajli, janë klasifikuar si “konfidenciale” të gjitha informatat në lidhje me Fondin e Sigurisë teksa në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “Mjetet që mblidhen në Fondin e Sigurisë janë donacione te dedikuara, që do të pranohen nga brenda dhe jashtë vendit nga individë dhe organizata, ku përveç tjerash tregohet gatishmëria dhe mobilizimi financiar mbarëkombëtar, faktin se këto mjete janë ekskluzivisht të dedikuara vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes, dhe të njëjtat në procesin e shpenzimit janë të klasifikuara nga Ministria e Mbrojtjes si Organizatë Buxhetore, dhe bazuar në situatën aktuale të sigurisë, konstatohet se hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë”.

Back to top button