Katër të lënduar nga aksidenti mes tri veturave dhe një autobusi në Ferizaj

Mbrëmjen e sotme ka ndodhur një aksident trafiku në mes një autobusi dhe tri veturave në magjistralen Ferizaj-Prishtinë.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ky aksident sipas Veselit ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 21:00 dhe përveç dëmeve materiale të shkaktuara në automjete, kanë mbetur të lënduar katër persona.
“Me datën 26.01.2025, rreth orës 21:00, kemi pranuar një informatë për një aksident trafiku në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt. Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore. Në vendngjarje menjëherë kanë dalë ekipet e policisë nga Njësia e Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes. Përveç dëmeve materiale të shkaktuara në automjete, si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona. Ata janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj nga ekipet e autoambulancës dhe më pas janë liruar. Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia, është njoftuar prokurori i shtetit”, bënë të ditur Veseli. /21Media