Katër të vdekur, 30 të lënduar nga aksidenti hekurudhor në Gjermani
Të paktën katër persona vdiqën dhe rreth 30 u lënduan kur një tren doli nga shinat të premten, në shtetin juglindor të Bavarisë të Gjermanisë, informoi Policia.
Treni, i cili transportonte shumë studentë, po shkonte për në Mynih kur tre vagonë dolën nga shinat pranë Garmisch-Partenkirchen.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi aksidentin, tha një zëdhënës i policisë.
Një zyrtar nga autoriteti lokal Garmisch-Partenkirchen fillimisht deklaroi se rreth 60 persona u plagosën, por Stefan Sonntag, një zëdhënës i policisë federale gjermane, tha se kjo shifër i referohej numrit të pasagjerëve në tren.
Sonntag u tha gazetarëve se 15 nga të lënduarit ishin në gjendje të rëndë në një spital lokal.
Më herët, policia tha se nuk mund të përjashtohej që një numër studentësh që festojnë fillimin e pushimeve verore të jenë në mesin e të plagosurve, por Sonntag tha se ishte shumë herët për të ofruar ndonjë koment mbi raporte të tilla.
Një ushtar amerikan i vendosur në një bazë ajrore aty pranë po kalonte me makinë kur treni doli nga shinat. Ai tha për mediat lokale se aksidenti ishte “thjesht i tmerrshëm – papritmas treni u përmbys”.
Gjashtë helikopterë, përfshirë tre nga rajoni austriak i Tirolit, u dërguan në vendngjarje për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit, shkruan BBC
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:15 me orën lokale (11:15 GMT) të premten, pak pasi treni u nis nga Garmisch-Partenkirchen për në Mynih.
Një pjesë e rrugës midis Mynihut dhe Garmisch-Partenkirchen u bllokua dhe trafiku u devijua, informoi operatori hekurudhor gjerman Deutsche Bahn.
Përplasja hekurudhore më vdekjeprurëse e Gjermanisë në kohët moderne kishte ndodhur në vitin 1998 kur një tren me shpejtësi të lartë kishte dalur nga shinat në Eschede në Saksoninë e Ulët, ku kishin mbetur të vdekur 101 njerëz.
Fatkeqësia paraprake ka ndodhur në shkurt, kur një person ka vdekur dhe 14 të tjerë janë lënduar në një përplasje midis dy trenave pranë Mynihut./21Media