Mehaj: Urime ju gardianë të lirisë sonë

(Lajm i përditësuar)
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se përvjetori i katërt i Forcës së Sigurisë së Kosovës me mandatin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës e gjen atë me suksese të mëdha.
Sipas tij, përkundër sfidave të ndryshme, rrugëtimi me vizion të qartë është i pandalshëm drejtë synimit të ushtrisë.
“Ushtri me ushtarakë me moral të lartë, të arsimuar, stërvitur, të pajisur dhe të gatshëm për realizimin e misionit të shenjtë në mbrojtje të Atdheut dhe qytetarëve tanë. Ushtri e ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar mbi gjakun, djersën e mundin e heronjve , dëshmorëve e martirëve të kombit ndër breza. Urime qytetarë të dashur. Urime ushtarakë, ju gardianë të Lirisë e Republikës sonë”, ka shkruar ai.
08:21 – Katër vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës
Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, më 14 dhjetor 2018 miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Ligjet që u miratuan ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.
Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.

Back to top button