Katër vjet pa Adem Demaçin
Sot bëhen katër vjet që kur në moshën 82-vjeçare ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.
Me prejardhje nga Lupqi i Podujevës, Demaçi është lindur më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ka qenë veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi ka vuajtur 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi është liruar, ai menjëherë ka vazhduar aktivitetin e tij politik. Ai është quajtur edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi ka udhëhequr Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990-1995. Në vitin 1991 është nderuar nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.
Gjatë periudhës 1998-1999, kur janë mbajtur takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së. Adem Demaçi ka qenë njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën dhe me veprën e tij, është bërë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është shndërruar në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarpinjtë e Gjakut”, i cili është ndaluar nga regjimi ish-komunist. Ai e ka parë dritën vetëm pas viteve të nëntëdhjeta.
Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Adem Demaçi ka ndërruar jetë. Në nderim të tij janë organizuar shumë aktivitete shtetërore dhe janë mbajtur tri ditë zie në Kosovë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?