​KDI prezanton raportin e dytë të monitorimit për përmbushjen e detyrave të procesit të Berlinit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar raportin e dytë të monitorimit “Përmbushja e zotimeve të procesit të Berlinit nga ana e Kosovës: Digjitalizimi dhe Dekarbonizmi”.

Në kuadër të prezantimit, lidhur me gjetjet u mbajt tryezë diskutimi me deputetet anëtare të Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian nga pushteti dhe opozita.

Menaxherja e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (IKD), Violeta Haxholli tha se në kuadër të këtij projekti janë analizuar dy komponentët më të rëndësishme të procesit siç janë “Tregu i përbashkët rajonal” dhe “Agjenda e Gjelbër”. Ajo shtoi se më pas janë fokusuar në fushën e digjitalizmit dhe dekarbonizimit.

Ajo tha se Kuvendi ka pasur vonesa në miratimin e disa projektligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Derisa potencoi se marrëveshja për zgjerimin e profesioneve që u nënshkrua në samitin e Berlinit në Tiranë, u ratifikua 6 muaj me vonesë.

Haxholli tha se duhet të miratohen disa ligje nga ana e Kuvendit duke përfshirë atë për energji të ripërtëritshme, draftimin e ligjit për inteligjencën artificiale, për çka shtoi se duhet bërë edhe monitorimi i ligjeve ekzistuese.

“Tek pjesa Kuvendit dua të theksoj që edhe Kuvendi ndaj këtij procesi ka pasur momente kur nuk e ka kryer në mënyrë të duhur rolin e tij qoftë ligjvënës apo mbikëqyrës këtë rast. Kemi pasur vonesa në miratimin e disa projektligjeve të rëndësishme për procesin e Berlinit. Por ajo më serioze ka qenë çështja e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat janë vonuar për një kohë të gjatë, për shkak të mungesës së numrave në Kuvend… Marrëveshja e fundit që është nënshkruar në Samitin e Tiranës në vitin 2023 për zgjerim të profesioneve në fushën e farmacisë dhe mjekësisë, është ratifikuar në Kuvend me 6 muaj vonesë… Janë disa ligje të cilat duhet të miratohen nga ana e Kuvendit për të përmbushur detyrat, siç është ligji për energji të ripërtëritshme, draftimi i një ligji për inteligjencën artificiale. Monitorimi i ligjeve ekzistuese që veçse janë miratuar nga Kuvendi…Projektligje që ende kanë mbetur në procedurë që lidhen me aspektin e mjedisit dhe klimës, siç është projektligji për vlerësim strategjik mjedisor, për menaxhim të resurseve ujore në procedurë”, tha Haxholli.

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi tha se në vend që qeveria aktuale të loboj për rritjen e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë dhe avancimin në procese të tjera evropiane, ajo zgjedh të mos pranojë asnjë ide e zgjidhje nga ana e miqve tanë.

Sipas saj, procesi i Berlinit ka qenë një proces me shumë pak transparencë, pa promovim të të arriturave, pa njoftim dhe zotime e obligime të institucioneve tona.

“Kosova fatkeqësisht është i vetmi vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe që është i vetmi vend në sanksione nga Bashkimi Evropian. Kosova është në momentin ku po i themi jo të gjithëve. Jo vetëm kundërshtarëve por edhe atyre që kanë qenë krahë nesh. Falë jo seriozitetit të tyre, tashmë nuk janë të pakënaqur vetëm pesë vendet që nuk e njohin Kosovën, por janë edhe vendet të cilat kanë qenë mike të Kosovës, siç është Franca, Italia por edhe Britania e Gjermania… Në vend që kjo qeveri të angazhohet, të loboj për rritjen e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë e avancimit në procese të tjera evropiane, qeveria jonë ka zgjedhur që të refuzojë të gjitha propozimet e të mos pranojë asnjë ide e zgjidhje nga ana e miqve tanë… Sa i përket procesit të Berlinit, ka qenë një proces me shumë pak transparencë, pa promovim të të arriturave, pa njoftim, pa zotime dhe obligime të institucioneve tona”, potencoi Krasniqi.

Ndërkaq,anëtarja e Komisionit për Integrim Evropian nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se kërcënimet që kanë ardhur nga Gjermania për përjashtim të Kosovës nga një proces tejet i rëndësishëm sipas saj, duhet të merren me shumë seriozitet nga qeveria.

Ajo potencoi se në rast të së kundërtës, dëmi më i madh i Kosovës do të jetë ai ekonomik.

“Kosova në fazën të cilën është në kohën kur zgjedhjet tashmë janë përcaktuar dhe data 9 shkurt është datë e mbajtjes së zgjedhjeve do të jetë vështirë e pritshme që Kuvendi do të ketë funksionalitet të tij për t’i mbikëqyrur edhe më tej këto marrëveshje dhe për të arritur një konsensus më të gjerë nacional, për të parë se si do t’i qasemi sfidave dhe obligimeve të cilat i ka marrë Kosova nga procesi i Berlinit. Kërcënimet që kanë ardhur nga Gjermania për përjashtim të Kosovës nga një proces tejet i rëndësishëm duhet të merren me shumë seriozitet nga qeveria…Dëmi më i madh i Kosovës do të jetë dëmi ekonomik”, theksoi Deliu-Kodra.

Lidhur me këto, zëvendëskryetarja e Komisionit për Integrim Evropian nga Lëvizja Vetëvendosje, Fjolla Ujkani tha se pavarësisht vonesave, Kosova qëndron më së miri krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e detyrave.

Ajo theksoi se sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë të padrejta, pasi sipas saj masat e vendosura nga qeveria janë për siguri dhe jo masa ekonomike, si po pretendohet nga të tjerët, siç shprehet ajo.

“Mund të thuhet që ka pasur vonesa por marrë parasysh të bëhet krahasimin me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova qëndron më së miri. Po ashtu, edhe në zbatimin dhe implementimin e të gjitha politikave të cilat derivojnë dhe jemi të obliguar që ne si Kuvend i Republikës e Kosovës dhe si qeveri të implementohen. Gjatë rrugëtimit në përmbushjen e plotë të gjitha këtyre detyrimeve të cilat rrjedhin, po jemi dëshmitarë që nuk varen vetëm një dikaster institucional…23:20 Si LVV, për neve këto masa janë të padrejta, sepse këto sanksione janë të padrejta karshi Republikës së Kosovës, sepse këto masa të cilat ne si qeveri që i kemi vendosur janë masa të sigurisë dhe nuk janë masa ekonomike ashtu siç mundohet të plasohet në publik…24:40 Procesi i Berlinit që është tejet i rëndësishëm, ku për neve si palë kosovare është proces ku e shohim që duhet të shpenzojmë tejet energji të madhe që ne t’i implemetojmë politikat të cilat gjejnë zbatueshmëri dhe që na ofrojnë më shumë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian”, tha Ujkani.

Raporti i dytë i monitorimit synon të avancojë më tej rolin e Kuvendit në procesin e Berlinit, duke ofruar informacione të përditësuara për deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe stafin parlamentar për vitin 2024, gjegjësisht periudhën janar-korrik 2024. Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe ndihmon integrimin e këtyre shteteve në Bashkimin Evropian. Ky proces u lansua më 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel.

Back to top button