KDI: Qeveria t’a ridraftojë Projektligjin për Byronë
Gjatë seancës së sotme plenare u diskutua Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, por që në mungesë të kuorumit i njëjti nuk u votua. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se diskutimet shpërfaqën mungesën e theksuar të një konsensusi politik për t’a shtyrë përpara një çështje kaq të ndjeshme, siç është konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme.
KDI e vlerëson si të duhur dhe të nevojshëm krijimin e një mekanizmi të konfiskimit civil të pasurisë, i cili do të kontribuonte pozitivisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera që derivojnë nga shfrytëzimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. “Megjithatë, konsiderojmë që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë, nuk përmbushë disa prej garancive kryesore kushtetuese të të drejtave të njeriut dhe nuk siguron pavarësi dhe funksionalitet të duhur të Byrosë, ashtu siç është potencuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me këtë projektligj. Duhet theksuar po ashtu që Komisioni i Venecias ka evidentuar mangësi dhe probleme në pjesën më të madhe të këtij projektligji, adresimi i së cilave nënkupton ndryshim esencial të përmbajtjes së tij”.
Andaj, në një situatë të tillë, KDI vlerëson që është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës, t’a rikthejë këtë iniciativë në pikë zero, duke e tërhequr atë fillimisht nga Kuvendi. “Tutje, Ministria e Drejtësisë duhet të themelojë një grup punues të ri dhe gjithëpërfshirës për këtë projektligj, duke u siguruar që secili prej rekomandimeve të Komisionit të Venecias të reflektohet në draftin e ri”.
Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin e Projektligjit në parim për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme./21Media