KDI: Votimi për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë duhet të bëhet në pako

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësimin e tij pas dështimit të 59-të të Kuvendit për të përmbyllur procesin e konstituimit.
Në reagim, KDI thekson se megjithëse është zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe tre nënkryetarë nga partitë më të mëdha parlamentare, procesi për zgjedhjen e dy nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë është shoqëruar me shkelje procedurale nga ana e kryetarit të Kuvendit.
Sipas KDI-së, vendosja e një procedure të ndarë të votimit për kandidatin nga komuniteti serb dhe atë nga komunitetet tjera jo-shumicë bie ndesh me Kushtetutën, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Devijimi nga kjo procedurë jo vetëm që cenon procesin e konstituimit të Kuvendit, por edhe pengon zbatimin e obligimeve kushtetuese për garantimin e përfshirjes së komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
KDI u bën thirrje subjekteve parlamentare që të tregojnë përgjegjësi institucionale dhe të gjejnë një zgjidhje sa më parë, në mënyrë që konstituimi i Kuvendit të përfundojë në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.