KE vlerëson se RMV ka mungesë të kuadrit mjekësor! Selmani: Të ketë rritje të theksuar të pagave

Sektori shëndetësor përballet me humbje të personelit mjekësor, posaçërisht të specialistëve, të cilët shkojnë në sektorin privat apo largohen për punë jashtë Maqedonisë së Veriut. Kështu vlerësoi Komisioni Evropian në Raportin e publikuar, ku theksohet se qasja e pacientëve te mjekët specialistë në shëndetësinë publike mbetet problematike.
“Edhe krahas sigurimit të rrogave të rritura me qëllim që të ruhen punonjësit, sektori shëndetësor po përballet me humbje të personelit mjekësor, posaçërisht të specialistëve të cilët po shpërngulen në sektorin privat apo largohen për punë jashtë vendit. Personeli vazhdon me nevojën për trajnim të specializuar për shfrytëzim të pajisjes së avancuar shëndetësore”, është bërë e ditur në raportin e Komisionit Evropian.
Nga Ministria e Shëndetësisë për TV21 thanë se i kanë rritur pagat për të gjithë punonjësit shëndetësor dhe kanë realizuar punësime të reja, pa treguar se çfarë do të ndërmarrin për të mbajtur kuadrin mjekësor në vend.
“Paga mesatare e mjekut specialist në dhjetor 2017 ishte 72.192 denarë bruto ndërsa në shkurt 2020 u rrit në 111.377 denarë – rritje prej 54%, përderisa paga për një doktor të mjekësisë në dhjetor 2017 ishte 45.952 denarë bruto ndërkaq në shkurt 20. 58.991 denarë, gjegjësisht rritje prej 29%”, thanë për TV21 nga Ministria e Shëndetësisë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Imer Selmani vlerësoi se raporti i KE pasqyron situatën reale të vendit. Ky trend i largimit të personelit mjekësor do të vazhdojë derisa Qeveria nuk kontribuon në një rritje të theksuar të pagave për këtë profesion, por edhe në kushtet e institucioneve shëndetësore.
“E para është të riorganizohen resurset njerëzore që vendi ynë i ka në dispozicion, domethënë të gjithë mjekët që janë të punësuar qoftë në sektorin shëndetësor, shtetëror qoftë në privat dhe e dyta të investohet edhe më tepër në një program të shpejtë, me efekte të shpejta dhe afatmesme në specializime deficitare në të cilat kemi mungesë dhe ne kontinuitet të investohet në rritjen e rrogave në të cilën në fund të fundit jemi në tregun e lirë dhe rrogat e punonjësve shëndetësore duhet të rriten”, potencoi ish-ministri i Shëndetësisë.
Lidhur me refundimin e mjeteve që paguhen për shërbime shëndetësore, nga KE-ja vlerësuan se pacientët paguajnë përafërsisht një të tretën e të gjitha shërbimeve shëndetësore pa u refunduar, me çka rriten dallimet sociale. Në pjesën kushtuar sëmundjeve, Eurokomisioni konstatoi se niveli i financimit për skrining të kancerit është i pamjaftueshëm, ndërsa të dhënat nga regjistrat nacional dhe rajonal për kancer nuk janë publikisht të kapshëm. Programi nacional për zbulim të hershëm të kancerit fillimisht duhet të implementohet, thanë nga Komisioni Evropian, shkruan TV21./21Media

Back to top button