KEDS fillon takimet intensive me institucionet për kursim të energjisë elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka filluar një fushatë të përgjithshme për kursim të energjisë elektrike.
Në kuadër të saj, KEDS po bën një punë intensive me institucionet e vendit, që të kursehet energjia në limitet maksimale brenda objekteve publike.
Sipas komunikatës, ekipet e KEDS janë duke i bashkërenduar strategjitë e kursimit me komunat e Kosovës.
Disa zyrtarë të kësaj kompanie janë takuar me nënkryetarin e Prishtinës, Alban Zogaj.  Palët janë pajtuar që të bashkëpunojnë ngushtë në arritjen e efiçiencës maksimale nga dikasteret që i takojnë komunës.
I dyti i Prishtinës është zotuar që kryeqyteti do të bëjë maksimumin që çdo kilovat që mund të ruhet do të kursehet.
Një takim i ngjashëm është zhvilluar edhe me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni. Aty të dy palët janë pajtuar që të gjenden format më të mira të kursimit në objektet që i menaxhon komuna dhe njësitë e saj.
“Në këtë mision e keni mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë”, tha kryetari Hyseni.
Siç bëhet e ditur në komunikatën e KEDS, ekipet e kompanisë do të zhvillojnë takime ditëve në vijim më udhëheqësit e të gjitha komunave të vendit, institucioneve, bizneseve dhe mekanizmave tjerë.
“Secili poç elektrik që nuk kryen ndonjë funksion parashihet të ndalet. Kjo, gjatë verës është shumë e rëndësishme, pasi pos që kursen, bën që të kemi më tepër energji elektrike në dispozicion. Aktualisht çmimet e importit janë shumë të shtrenjta, mbi pesëfish në krahasim me vitin e kaluar. Ato çmime përcaktohen nga berzat ndërkombëtare, ku ne nuk kemi asnjë ndikim. Pra, është krejtësisht jashtë kontrollit tonë. Por, ajo që e kemi në dorë është kursimi i një malli që aktualisht ka vështirësi ta sigurojë e tërë Evropa. Në këtë mënyrë, çdo kilovat i kursyer nënkupton siguri më të madhe në furnizim me energji elektrike dhe rritje më të vogël të çmimit, pasi zvogëlohet kostoja e sistemit. Së bashku mund t’ia dalim!”, pëfundon komunikata e KEDS./21Media

Back to top button