“KEDS-i padrejtësisht po na largon nga puna”
Rashit Gashi tha se padrejtësisht KEDS-i tash e katër vjet ka larguar nga puna rreth 300 punëtorë
Për largimin e vazhdueshëm të punëtorëve prej punës nga KEDS-i, Federata e Sindikatave të Pavarura “ElektroKosova” organizoi sot protestë para ndërtesës së KEDS-it në Prishtinë.
Ndër të larguarit nga puna së fundmi është edhe sekretari i kësaj sindikate, Rashit Gashi. Ai tha se padrejtësisht, KEDS-i tash e katër vjet ka larguar nga puna rreth 300 punëtorë, të cilët po zëvendësohen nga familjarë të politikanëve, kryeprokurorëve dhe punëtorë të kompanisë “Devolli”.
Edhe Sindikata e Re e KEK-ut ka mbështetur protestuesit. Zëvendëskryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica duke përkrahur kërkesat e ish-punëtorëve të KEDS-it tha se në mënyrë sistematike KEDS po largon punëtorët nga puna.
Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj tha se për padrejtësitë që po u bëhen punëtorëve të KEDS-s, ata janë të gatshëm t’i mbrojnë dhe ta paralizojnë këtë kompani.
Përkrahje kjo protestë mori edhe nga Sindikata e Sektorit Privat, Sindikata e KOSTT dhe nga Rinor Mehmeti prej shoqërisë civile.