KEDS: Nuk rrisim çmime

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe KESCO përmes një njoftimi për media kanë thënë se ata nuk rrisin çmime dhe as nuk janë përgjegjës për strukturën tarifore.
Sipas tyre, kjo strukturë ndërtohet pas aplikimit për të Hyrat Maksimale të Lejuara (MAR). KEDS dhe KESCO kanë thënë se çmimet e importit as prodhimi vendor nuk janë në dorën e tyre.
“Në aplikimin tarifor, të gjitha palët e interesit, duke na përfshirë edhe neve, kemi të drejtë të dërgojmë propozime tona. Por, është ZRRE-ja ajo që merr vendimet. Deri tash, 95 për qind e propozimeve tona nuk janë marrë parasysh. Pra, heqja e bllok tarifës në vitin 2017 ishte dhe mbetet përgjegjësi ekskluzive e ZRRE-së. Ne nuk jemi politikbërës, por jemi vetëm kompani operative. Asnjë shtet nuk kemi parë që e ka drejtuar gishtin nga kompania distributive për krizën. Kompania distributive shpërndanë energjinë elektrike që e ka në dispozicion. Nëse ka prodhim të mjaftueshëm dhe nëse kostoja e importit mbulohet, sistemi nuk afektohet. Në Kosovë ndodhi e kundërta: Kostoja e importit nuk u mbulua për muaj të tërë, ndërsa kur energjia elektrike nevojitej më së shumti, u reduktua ndjeshëm prodhimi vendor. As çmimet e importit as prodhimi vendor nuk janë në dorën tonë”, thuhet në reagimin e tyre.
KEDS/KESCO thotë se të dy kompanitë e kanë përmbyllur vitin e fundit me humbje.
“Ne, kemi bërë në vazhdimësi aq sa kemi pasur në dorë. Fitimet dhe humbjet e KEDS/KESCO janë të rregulluara dhe nëse tejkalohet, atëherë kthehet vitin tjetër në sistem me 8 për qind kamatë. Pra, gjithçka është formulë matematikore! Ndryshe, të dy kompanitë e kanë përmbyllur vitin e fundit me humbje. Ndërkohë, krejt çka është fituar deri tash, ka shkuar për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kemi investuar për tetë vjet të operimeve tona rreth 190 milionë euro në rrjetin elektrik të vendit, që e gjetëm në gjendje të rëndë. Ai tashmë është përmirësuar ndjeshëm. Si rezultat i operimeve dhe investimeve efiçiente ka shumë vjet që çmimet e energjisë elektrike nuk kanë ndryshuar. Të njëjtën kohë, pronarët kanë dhënë nga xhepat e tyre deri tash mbi 60 milionë euro për humbjet jopërformuese”, thonë KEDS/KESCO.
Në fund, kompanitë kërkojnë nga të gjitha palët politikbërëse që të bëjnë më të mirën e mundshme për funksionimin e sistemit, pasi nga vendimet dhe politikat adekuate, përfiton direkt konsumatori kosovar. Në rrethana krize, kur secili e kryen punën me përkushtim dhe përgjegjësi, atëherë ajo përballohet shumë më lehtë. /21Media

Back to top button