KEK-u anulon konkursin e dyshimtë

Është anuluar konkursi i disa javëve më herët i Korporatës Energjetike të Kosovës për plotësimin e 150 pozitave të lira të punës, e për të cilin pati dyshime për dallavere në punësimin e më shumë se 100 personave.
Ky vendim është marrë pas rekomandimit nga komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit.
Kështu konkursi është anuluar për të gjitha pozitat e shpallura për 127 vende të lira pune.
“Sot ka përfunduar punën komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit i përberë nga eksperti i pavarur ligjorë i angazhuar në projektin e BE-së për reforma në administratën publike, eksperti i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjorë i KEK-ut. Duke u bazuar në rekomandimet e komisionit të pavarur, z. Nagip Krasniqi, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, thuhet në njoftim.
Njoftimi thekson se për procesin kishte pasur rreth 230 ankesa.
KEK-u ka thënë se kandidatët e selektuar në fazën e parë do të njoftohen individualisht dhe ata nuk do të kenë nevojë për riaplikim në konkurs.
Përzgjedhja e më shumë se 100 personave për t’u punësuar pati bërë bujë në vend, pas dyshimeve se shumica e tyre ishin të afërm të njerëzve të pushtetit. Partitë opozitare patën akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet se ka emëruar militantë. Kryeministri Albin Kurti pati mohuar akuzat.
Në fillim të muajit prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë pati njoftuar se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet në KEK./21Media

Back to top button