KEK-u thotë se bashkëpunimi me KESH po tregon rezultate pozitive

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se bashkëpunimi midis KEK dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare- KESH po tregon rezultate pozitive në tejkalimin e krizës energjetike.
Sipas njoftimit, KEK deri më tani ka depozituar mbi 120,000 MWh energji elektrike në KESH, kjo me qëllim të zbutjes së kërkesës në ngritje për energji elektrike në Shqipëri.
“Duke qenë se sot konsumi vendor në Kosovë ka shënuar ngritje në orë të caktuara (në kohë të pikut), KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë kanë ndërmarrë veprime të shpejta me ç’rast nga ora 14:00h janë siguruar 100 MWh/h nga energjia e depozituar e KEK-ut në KESH dhe paralajmërimi për reduktime u ndalua”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë që, Ministria e Ekonomisë, njoftoi se falë bashkëpunimit me Shqipërinë, mes KEK-ut dhe KESH-it, është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe do të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji.
​“Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike .Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhej në njoftim.
Sipas ME-së, Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Ndërsa, bëjnë thirrje për kursim të energjisë./21Media

Back to top button