Këkohet paraburgim për personat që u zunë me 400 kg drogë

 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin se sot ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e paraburgimit të shtatë personave, të cilët janë ndaluar më 17 maj 2021, lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kg narkotikë të llojit kokainë.

Prokuroria Speciale kërkesën e ka bërë për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 paragrafi 1 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së dhe në drejtim të veprës penale “Mbajta ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme 7 persona janë arrestuar në aksionin ku janë konfiskuar 400 kg narkotikë të llojit kokainë në vlerë të 20 milionë eurove. Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës, Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë dhe autoritetet e shtetit Italian në një konferencë për media kanë dhënë detaje rreth këtij rasti, që u tha se kamioni në të cilin ndodheshin narkotikët ishte nisur nga Brazili për në Kosovë.

Back to top button