Kelmendi e Kuka vizituan ish-krerët e UÇK-së: Besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre
Xhudistja kosovare me famë ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi dhe trajneri Driton Kuka sot dhe dje vizituan ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Trajneri Kuka u shpreh se me secilin patën biseda e shpalosje për ngjarjet historike të popullit tonë.
“Biseduam edhe për sfidat tona në sport tash e në të kaluarën. Të fortë, të qëndrueshëm, pozitiv dhe të motivuar për të dalur të pafajshëm, fillimisht ata, e më pas UÇK-ja dhe Republika e Kosovës, nga ky proces i padrejtë gjyqësor. Unë dhe Majlinda, njëjtë si qytetarët e Kosovës, besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre.”, shkroi Kuka në Facebook.
Ndryshe, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre./21Media