Kelmendi tha se drejtori i AKP-së është kundërshtari më i madh i ELKOS-it
Deputeti i LDK-së ka akuzuar drejtorin e AKP-së, Ekrem Hajdarin se po e shantazhon ELKOS-in
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka reaguar ndaj vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) për dënimin e kompanisë ELKOS Grup në vlerë prej 1.3 milionë euro.
Në lidhje me vendimin e AKP-së për kompaninë ELKOS, kryetari i Bordit të Odës se Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimit, sepse sipas tij, ELKOS është një kompani që është tatim paguesi më i madh i buxhetit të Kosovës.
“Ky vendim jo vetëm që po e dëmton ELKOS, por edhe shtetin, vendim i cili përçon një mesazh të keq tek investitorët e huaj”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka kërkuar nga AKP që ta shqyrtojë këtë vendim duke kërkuar njëkohësisht nga Kuvendi i Kosovës që ta mbikëqyrë seriozisht punën e AKP-së.
Pronari i kompanisë ELKOS, Ramiz Kelmendi ka bërë një kronologji të procesit të privatizimit për pronën në fjalë.
Deputeti Kelmendi ka thënë se AKP në formë arbitrare ka sjellë vendimin për dënimin në rreth 30 përqind të vlerës blerëse.
Deputeti i LDK-së ka akuzuar drejtorin e AKP-së, Ekrem Hajdarin se po e shantazhon ELKOS-in sikur në kohën sa ka qenë në pozitë edhe në Doganë. “AKP më ka shitë pronën, nuk ma ka falë, ne kemi investuar… Ne kemi arrit të eksportojmë , kërkesat kanë qenë për teknologji të re, sepse ka qenë e vjetër. Drejtori i AKP po punon për humbjen e imazhit të ELKOS. Ai është kundërshtar më i madh i ELKOS. Ai edhe nga Dogana ka shantazhuar këtë kompani”, tha Kelmendi, duke shtuar se ende nuk e ka marrë vendimin nga AKP.
Ai shtoi se ELKOS si një tatimpagues i madh, po e pengon dikë. Po ashtu ai tha se do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për këtë vendim të padrejtë të AKP-së.