Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, ngritet aktakuzë ndaj pesë policëve

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.H., V.K., F.K., A.P., dhe A.K., – zyrtarë policor, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor’.
Policia ka bërë të ditur se më datë 16 korrik, 2020 rreth orës 11:00 në Prizren në automjetin zyrtar – kombi policor dhe në stacionin policor “Alfa“, të akuzuarit e lartëcekur në cilësi të personave zyrtarë, në kuadër të NJSO – Prishtinë, keqpërdorin detyrën apo autorizimet e tyre, keqtrajtojnë, frikësojnë dhe fyejnë rëndë dinjitetin e personave tjerë, të dëmtuarve: I.K., L.K., E.K., dhe N.D.
Gjithashtu, sipas njoftimit pasi i fusin në automjetin-kombi të policisë, gjatë transportimit të tyre prej sheshit “Shatërvan” gjer në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, derisa të dëmtuarit ishin me pranga në duar, të njëjtit i keqtrajtojnë me fjalë të rënda fyese dhe sharje ndër më të ndryshmet.
Po ashtu, të njëjtit i keqtrajtojnë duke i sulmuar fizikisht, me shuplaka dhe grushta, me ç’rast i dëmtuari I.K., dhe L.K, pësojnë lëndime trupore të shkaktuara nga goditja me mjet të fortë dhe të rëndë mbretës, është bërë e ditur në komunikatë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./21Media

Back to top button