Kërcënohet me jetë shoferi i autobusit të “Durmo Turs”
Nga Prokuroria thonë se shoferi në këtë moment konsiderohet si dëshmitar, e jo si person i dyshuar
Gjësendet personale të pasagjerëve në autobusin “Durmo Turs” të cilat banorët e fshatit Llaskarcë i sollën në TV21, janë dorëzuar në Stacionin e Policisë në Gjorçe Petrov. Policia apelon që të gjitha gjësendet e gjetura, qytetarët duhet t’i sjellin në Stacionin Policor në Gjorçe Petrov apo në Prokurori, prej ku mund t’i marrin të afërmit e pronarëve.
Një javë pas aksidentit tragjik, vazhdon grumbullimi i provave nga ana e Prokurorisë. Për herë të parë pas fatkeqësisë, në konferencë për shtyp u paraqit edhe njeriu i parë i Prokurorisë Publike Republikane. Sipas Joveskit, vozitësi i autobusit të “Durmo Turs-it”, ka marrë kërcënime për jetë. Ka thirrur që të respektohet prezumimi i pafajësisë, pasi nuk është vërtetuar se kush është fajtori dhe ende po grumbullohen dëshmitë materiale, të nevojshme për hetimin.
“Një pjesë e materialeve që i ka kërkuar Prokuroria janë siguruar nga kompania “Durmo Turs Del”, kurse pjesa tjetër duhet të sigurohet në mënyrë shtesë. Vozitësi i automjetit është dëgjuar një herë, por kjo nuk do të thotë se nuk mundet të dëgjohet sërish nëse ka nevojë për këtë”, tha Jovevski.
Nga Prokuroria thonë se vozitësi i autobusit në këtë moment konsiderohet si dëshmitar i ngjarjes, e jo si person i dyshuar. Megjithatë, nuk iu përgjigjën pyetjes së TV21, duke pasur parasysh se vozitësi është kërcënuar dhe nuk është në shtëpinë e tij në Gostivar, a është nën mbrojtjen e tyre? Nga Prokuroria s’ka përgjigje as për gjendjen e vozitësit shëndetësor në momentin kur ka ndodhur aksidenti. Prej atje shtojnë se nuk mund të zbulojnë informacione të këtilla, sepse hetimi ende po zhvillohet.
Ndryshe, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se aktualisht në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit janë hospitalizuar 8 pacientë, një prej të cilëve është në gjendje të rëndë, kurse të tjerët në gjendje të mirë shëndetësore. Në Spitalin Shtetëror “Nënë Tereza”, aktualisht po trajtohen 3 pacientë, një prej të cilëve në gjendje të rëndë, kurse dy të tjerët në gjendje stabile. Në Klinikën Universitare të Neurokirurgjisë është shtrirë një paciente e cila për momentin është në gjendje stabile. Një pacient nga Reparti i Traumatologjisë është lëshuar në mjekim shtëpiak. Në aksidentin me autobus, i cili ndodhi më 13 shkurt, humbën jetën 15 persona, kurse mbi 30 të tjerë mbetën të lënduar./TV21
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?