Kaloni te përmbajtja kryesore

Kërkesa e Hasanit për Specialen i kthehet Kryesisë

Komisioni për Legjislacion i ka kthyer Kryesisë së Kuvendit kërkesën e deputetit Nait Hasani rreth debatit parlamentar për Gjykatën Speciale

Anëtarët e këtij komisioni vlerësuan se në bazë të rregullores së Kuvendit, Kryesia ka të drejtë ta procedojë në seancë kërkesën e gjashtë deputetëve për debat parlamentar lidhur me çfarëdo teme.

Deputeti i PDK-së Nait Hasani dhe deputetët nënshkrues kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të organizojë një debat për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar.

Për këtë, Kryesia pas shqyrtimit të kësaj kërkese kishte vendosur që këtë çështje t’ia delegojë Komisionit për Legjislacion që të jap një rekomandim, meqë nuk ka qenë e qartë nëse është kërkuar vetëm debat, apo nismë Ligjore për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu tha se ka pasur paqartësi, meqë kërkesat për debat nuk është praktikë t’i procedohen asnjë komisioni.

Deputetja e PDK-së Selvije Halimi tha se ata si komision mjafton t’i kërkojnë procedimin në seancë sipas rregullores dhe pastaj seanca është ajo që vendos për hapat e mëtutjeshëm, nëse do të ketë nismë ligjore apo do të mbetet vetëm me debat.

Edhe opozita ishte për që kjo kërkesë t’i kthehet Kryesisë. Deputeti i AAK-së Pal Lekaj kërkoi që kjo kërkesë t’i kthehet Kryesisë në mënyrë që ajo ta procedojë në seancën e radhës e cila mund të jetë të enjten apo të premten.

Njëjtë mendon edhe shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën Valdete Bajrami, sipas së cilës Komisioni nuk ka çka të humb më tepër kohë, por kjo kërkesë t’i kthehet mbrapa Kryesisë së Kuvendit.

Kërkesa e deputetit Hasani për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe prokurorit special ka ardhur pas kërkesës së familjeve të të vrarëve dhe Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button