Kërkesa për Komisionin për punësime në MPJ, Gërvalla, PDK-ja po do që ta diskreditojë Hoxhajn
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e ka cilësuar si luftë të brendshme brenda partisë , kërkesën Partisë Demokratike të Kosovës për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar që do të merrej me punësimet në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ajo ka shtuar se hetimi duhet të zgjerohet për të gjitha punësimet në kuadër të ministrisë, jo vetëm ato për vitet 2021-2023.
Duke përmendur emërimet nga ish-ministra të kaluar, Gërvalla është shprehur se duhet të hetohen emërimet që janë bërë si pjesë e pazareve zgjedhore.
“Me vete kam vendime të panumërta të mëparshme ku jo vetëm nuk janë zbatuar kriteret e konkurseve, por as edhe një kriter i punësimit bazuar në ligjet ekzistuese. Me të njëjtin vendim, ish-ministri Enver Hoxhaj edhe e emëron anëtar të shërbimit të jashtëm personin, edhe ia cakton gradën konsull edhe ia cakton emërimin në misionin ku ka shkuar. Mos të flasim për emërimet që kanë ndodhur nëpër oda, nëpër kafe dhe që kanë qenë pjesë e pazareve në prag të zgjedhjeve. Pavarësisht nga vjen kërkesa dhe me cilat motive, kjo kërkesë që ka ardhur për këtë komision më krijon përshtypjen sikur është pjesë e luftës së brendshme brenda PDK-së për të diskredituar persona të caktuar, si Enver Hoxhaj, se sa që ka të bëjë me mua personalisht”, ka thënë Gërvalla.