MD i përgjigjet kërkesës së Szunyog për Projektligjin për KPK-në

Pas kërkesës të BE-së që drafti i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të përputhet plotësisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias para miratimit të ligjit, ka reagur Ministria e Drejtësisë.

Kjo ministri ka njoftuar se Komisioni për Legjislacion do t’i adresojë rekomandimet të cilat kanë dalë nga seanca e Komisionit të Venecias më 15 dhjetor 2023 dhe opinioni i publikuar po këtë muaj.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka votuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, sponzorizues i së cilit është Ministria e Drejtësisë. Versioni i ri i këtij projektligji parasheh ndryshime të rëndësishme përmes të cilave synohet, llogaridhënie më e madhe, pavarësi funksionale të KPK-së dhe rezultate për të gjithë sistemin

“Po ashtu përmes këtij projektligji janë paraparë ndryshime në përbërjen e KPK-së, në kuptim të arritjes së bilancit të përbërjes me anëtarë prokurorë dhe jo prokurorë. Pas miratimit sot në parim të Projektligjit, Komisioni për Legjislacion do t’i adresojë rekomandimet të cilat kanë dalur nga seanca e Komisionit të Venecias më 15 dhjetor 2023 dhe opinioni i publikuar po këtë muaj”, thuhet në reagim.

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Szunyog ka thënë se presin që drafti të përputhet me rekomandimet e Komisionit të Venecias para miratimit./21Media

 

Back to top button