Kërkohet nga Qeveria që lehonat të përfshihen në buxhetin e vitit 2023

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që në buxhetin e vitit 2023 të parashihet mbështetje për gratë të cilat janë në pushim të lehonisë.
Sipas njoftimit të kësaj Dhome, me këtë lëvizje do t’i hiqej një barrë bizneseve.
“Shteti të merr përsipër 100 për qind pagesën e pushimit të lehonisë në mënyrë që të kontribuojë në përkrahjen e drejtpërdrejt të bizneseve dhe në rritjen e punësimit të grave”, thuhet në njoftim.
Dhoma e Tregtisë thotë se kanë një kohë të gjatë që po merren me këtë çështje, duke mbajtur takime të vazhdueshme me institucionet vendore, por s’ka rezultat.
“Në bazë të takimeve të vazhdueshme të zhvilluara me bizneset në terren rezulton se është barrë shumë e rëndë për bizneset që të paguhen dy paga për një vend pune, një për kompensimin e pushimit të lehonisë dhe paga tjetër për një punëtor që janë të detyruar ta marrin për të zëvendësuar atë që shkon në pushim”, vijon reagimi i tyre.
Ata konsiderojnë që ligji për pushimin e lehonisë, shihet si një instrument i rëndësishëm për të ndihmuar gratë në karrierë.
“Çdo shoqëri ka për detyrë që të krijojë mekanizma, në mënyrë që të lehtësojë krijimin e një balanci mes planifikimit familjar e ngritjes së natalitetit në vend dhe krijimit të karrierës”, thuhen në kërkesën e Dhomës, të cilët shtojnë se Kosova është nga vendet e vetme të rajonit që nuk e ka të rregulluar pushimin e lehonisë./21Media

Back to top button