Kërkohet nga qytetarët që t’i hedhin telefonat kinezë

Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë rekomandoi që klientët t’i gjuajnë telefonat e tyre kinezë dhe të evitojnë blerjen e tyre pasi një raport i qeverisë zbuloi se pajisjet kishin aftësi të integruara të censurës.
Telefonat kryesorë të shitur në Evropë nga gjiganti kinez i telefonave inteligjentë Xiaomi Corp (1810.HK) kanë një aftësi të integruar për të zbuluar dhe censuruar terma të tillë si “Tibeti i Lirë”, “Rroftë pavarësia e Tajvanit” ose “lëvizja demokratike”.
“Rekomandimi ynë është që të mos blini telefona të rinj kinezë dhe të hiqni qafe ata që janë blerë sa më shpejt që të jetë e mundur”, u tha zëvendësministri i Mbrojtjes Margiris Abukevicius gazetarëve në prezantimin e raportit.
Xiaomi nuk iu përgjigj pyetjes së Reuters për koment.
Marrëdhëniet midis Lituanisë dhe Kinës janë acaruar kohët e fundit. Kina kërkoi muajin e kaluar që Lituania të tërhiqte ambasadorin e saj në Pekin dhe tha se do të tërhiqte të dërguarin e saj në Vilnius pasi Tajvani njoftoi se misioni i saj në Lituani do të quhej Zyra Përfaqësuese e Tajvanit.
Raporti tha se lista e termave që mund të censurohen nga aplikacionet e sistemit të telefonit Xiaomi, përfshirë shfletuesin e paracaktuar të internetit, aktualisht përfshin 449 terma në gjuhën kineze dhe azhurnohet vazhdimisht./21Media

Back to top button