Kërkohet nominimi i tre anëtarëve të shoqërisë civile në Këshillin për Demokraci

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka bërë një thirrje të hapur për nominimin e tre anëtarëve nga shoqëria civile, të cilët do të jenë pjesë e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
Ky Këshill është derivat i zotimeve, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i kanë marrë në kuadër të edicionit të parë të Samitit për Demokraci të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Osmani ka iniciuar themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të luajë rolin e mekanizmit përgjegjës për udhëheqjen dhe garantimin e mbarëvajtjes së punës së të gjitha institucioneve të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të prezantuara në Samitin për Demokraci.
Sipas një komunikate të dërguar për media, ky Këshill do të jetë përgjegjës për të garantuar monitorimin, transparencën, dhe llogaridhënien në lidhje me përmbushjen e këtyre zotimeve./21Media

Back to top button