Kërkohet paraburgim për të miturin që theri me thikë një person
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.S., me dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Prokuroria ka njoftuar se më 01 nëntor 2021 në Gjakovë, në afërsi të parkut të qytetit, i pandehuri B.S., me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Sh.Th.
“Rasti ka ndodhur pas një fjalosje që kishin pasur dy ditë më përpara, dhe më 01 nëntor 2021, gjatë takimit të tyre të përbashkët, ndodh një rrahje mes tyre, e më pas i pandehuri me një mjet të mprehtë (thikë), e godet të dëmtuarin disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftim
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është në ndalim./21Media