Kërkohet që paga minimale të jetë jo më pak se 400 euro

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat nuk pajtohet me asnjë pagë minimale nën 400 euro.
“Nuk guxoj të them se cili do të jetë propozimi i kryeministrit për pagën minimale. Njëherë pati thënë 350 euro e më pas 250. Ne nuk duam të flasim se për cilën shumë e ka fjalën. Ne bëjmë me dije që nëse duhet biseduar për pagën minimale duhet me përfaqësuesit e sektorit privat dhe jo të tjerët. Neve nuk na pajton çfarëdo page që është nën 400 euro edhe pse kjo pagë është shumë e vogël”, ka thënë Jusuf Azemi, kryetar i SPSK-së në një konferencë për media.
Azemi ka thënë se mbi 200 mijë punëtorë kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendit, duke thënë se Kosova tash po përballet me mungesë punëtorësh në të gjitha sektorët.
Ai tutje ka apeluar te Parlamenti që të aprovojë tërheqjen edhe të një pjese të trustit për punëtorët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë tha se së shpejti dalin me propozim për nivelin e pagës minimale./21Media

Back to top button