Kërkohet urgjentisht zgjidhje për çështjen e targave

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është nevojë urgjente gjetja e një zgjidhje për situatën aktuale në veri të Kosovës.
Gjatë takimit që pati mbrëmë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Lajçak theksoi se është e papranueshme çdo dhunë.
“Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi sot po diskutojmë për krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në veçanti çështjen e targave. Ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në terren. Çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”,shkroi Lajçak në Twitter.
Se u diskutua për targat tregoi edhe Bislmi, por nuk dha shumë detaje se çfarë u tha lidhje me këtë.
“Për elementet e normalizimit gjithëpërfshirës të përqendruar në njohjen reciproke. Ne diskutuam gjithashtu opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave të paligjshme në të ligjshme.
Megjithatë, Besnik Bislimi shprehu gatishmërinë për takime të rregullta në Bruksel.
“Unë ritheksova interesimin e Kosovës për të vazhduar me takimet e rregullta në Bruksel për elementet e normalizimit gjithëpërfshirës të përqendruar në njohjen reciproke.”, shkroi ai në Twitter, duke shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor,  dhe e interesuar për marrëdhënie të mira me fqinjët.
Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të zgjasë afatin prej dhjetë muaj për riregjistrim të makinave dhe të ulë tensionet në veri.
Autoritetet në Kosovë paralajmërojnë se do të vazhdojnë me zbatimin e shkallëzuar të masave dhe prej 21 Nëntorit do të shqiptojnë gjobat prej 150 euro për të gjitha makinat që nuk janë riregjistruar.
Në anën tjetër Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, thonë se nuk do të zbatojnë asnjë vendim të Prishtinës dhe kanë kërkuar edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si kompromis për kthim në institucione.
E sa i përket Asociacionit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe njëherë është shprehur kundër.
Ai së fundmi në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve “APA”, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon një Asociacion në baza etnike.
“Unë e kam marrë pushtetin vitin e kaluar, kanë qenë parardhësit e mi që e kanë nën shkruar këtë marrëveshje me të njëjtit njerëz që janë edhe sot në pushtet në Serbi. Pse nuk e zbatuan atëherë? Kushtetuta jonë nuk njhej Asociacion njëetnik”, ka thënë Kurti. /21Media

Back to top button