Kërkohet vendosja e kamerave edhe në çerdhet publike

Çerdhet publike edhe pse të monitoruara me kamera, brenda mureve të tyre po ndodhin ngjarje të trishta. Rasti i fundit në çerdhen publike në Fushë Kosovë, ngjalli reagime të shumta ndërkaq institucioneve iu bë thirrje për më shumë inspektim të çerdheve.

Përpos sigurisë e infrastrukturës në institucionet parashkollore publike, shefi i arsimit në Komunën e Prishtinës, Lulzim Vrapca, thotë që rëndësi të veçantë duhet kushtuar profesionalizmit të edukatorëve.

“Ne si komunë edhe para kësaj kemi investuar në vendosje të kamerave pra të gjitha institucionet publike i kanë kamerat e vendosura, gjithsesi në vazhdimësi ne kemi ndërruar kamerat, ato të cilat kanë qenë jo funksionale me parametra jo të duhura, dhe jemi në këtë drejtim realisht, edhe këtë vit edukativ që kemi filluar, ne kemi parapa edhe në buxhet për vitin 2024 vendosjen e kamerave të sigurisë, kshtu që jemi në rrugë të mbarë.Drejtoria e arismit i ka kushtuar një rëndësi të veçantë arsimit parashkollorë, jo vetëm në siguri, por edhe në infrastrukturë dhe cilësi të edukatoreve”, tha Vrapci për RTV21.

Hana Zylfiu-Haziri, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se rasti i fundit në çerdhen në Fushë Kosovë, është një tregues që siguria në institucione parashkollore nuk është në nivel.

“E para që duhet të bëhet me siguri që të mbahen takime dhe të flitet pak e të vetëdijësohet personeli arsimor për format e komunikimit me fëmijët edhe efektet e dhunës verbale e fizike te fëmijët, kjo nuk po mendoj vetëm edukatoret, por i gjithë personeli dmth është diçka me të cilën duhet të trajtohet edhe në nivelin lokal dhe qëndor dhe të vet institucionit të ndërmerren hapa konkret…Nëse mirret vendim, atëherë duhet të vendosen edhe në institucionet private, por, nuk mendoj që kamera të jetë e hapur për prindërit, por, të jetë incizim i cili mund të kërkohet për raste të caktuara”, tha ajo.

Drejtori i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, thotë se investimet dhe politikat e ndryshme, i takojnë Qeverisë, por nënvizon se përgjegjësia e përditshmërisë i takon institucionit arsimor.

“Siguria në institucione parashkollore nuk është e kufizume veç në kamera, pra, kamera është një garancion më shumë, mirëpo mirëqenia e nxënësve shkon përtej kamerave dhe çdo institucion duhet të instaloj ata mekanizmat e mirëfillt të përgjegjësisë, llogaridhënies dhe mbikqyrjes që na garantojnë një ambient të sigurtë për çdo nxënës në këto institucione”, tha Qehaja.

Komuna e Prishtinës, ka njoftuar se kanë ndarë subvencion prej 100 mijë euro, për mundësinë e regjistrimit të 125 fëmijëve në institucione parashkollore private./21Media

Back to top button