KESCO apelon të kursehet energjia elektrike

Kompania kosovare për furnizim me energji elektrike, KESCO, ka apeluar për kursim të energjisë elektrike, pasi siç ka thënë situata aktualisht është shumë e pafavorshme për shkak të dyfishimit të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka ndikuar dukshëm edhe në çmimet e energjisë elektrike. Në berzat e rajonit ka ngritje të çmimit qind për qind, nëse e krahasojmë me muajin shkurt, para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Bazuar në bursën hungareze HUPX, që është referente edhe për importin e energjisë elektrike në Kosovë, gjatë muajit shkurt, para sulmit rus, çmimi ka qenë rreth 250 euro për megavat për energji elektrike në kohën e pikut, të cilën kryesisht e blen Kosova, ndërkaq tani çmimi mesatar sillet afro 500 euro për megavat”, thuhet në njoftim.
Sipas KESCO këto lëvizje negative kanë korresponduar me përkeqësimin e situatës.
“Kjo ka bërë që kërkesa për konsum të energjisë elektrike në Kosovë të rritet dukshëm. Pasi që kërkesa e tejkalon prodhimin vendor, atëherë ne duhet detyrimisht ta importojmë sasinë e nevojshme nga jashtë. Çdo rritje e kërkesës në këto rrethana, pra secili megavat që i shtohet sistemit, duhet të sigurohet nga importi i energjisë elektrike, që me çmimet aktuale është shumë i pafavorshëm, edhe kur krahasohet me dy muajt e parë të këtij viti, kur u shënua një rënie e çmimeve”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkaq, KESCO ka apeluar që të kursehet energjia elektrike dhe të shfrytëzohet në mënyrë racionale.
“Prandaj, në këto rrethana kursimi i energjisë elektrike dhe shfrytëzimi racional i saj nga të gjithë konsumatorët është i mirëseardhur. Duke vepruar kështu, secili do t’i ndihmonte jashtëzakonisht shumë sistemit elektroenergjetik në Kosovë që ta përballojë sa më lehtë këtë situatë të krijuar. Koordinimi i veprimeve të përbashkëta në mes të akterëve të sistemit dhe konsumatorëve”, shtoi tutje KESCO./21Media

Back to top button