KESCO: Ka mbingarkesa, të fillojmë të kursejmë energjinë elektrike

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) bënë apel gjithë qytetarëve të Kosovës që të kursejnë energjinë elektrike.
Sipas njoftimit të KESCO-së në Facebook thuhet se arsyja e këtij apeli është rritja e madhe e konsumit të energjisë elektrike, e cila sipas këtij dikasteri ka shkaktuar mbingarkesa në shumë pjesë të Kosovës.
“Rritja tejmase e konsumit të energjisë elektrike ka shkaktuar një varg mbingarkesash në shumë pjesë të Kosovës. Mbingarkesa, si e tillë, po shkakton telashe në disa zona kyçe, ku një nga shkaktarët kryesorë është ngrohja me energji elektrike. Si rrjedhojë, një pjesë e konsumatorëve janë duke u ballafaquar me sfidë të furnizimit me energji elektrike, pasi po rrezikohen asetet dhe po vjen deri te djegia e tyre që, si pasojë, konsumatorët po mbesin për një kohë pa energji elektrike deri në zëvendësimin e aseteve, ku në raste të caktuara përfshijnë kabllot e deri te transformatori. Por, edhe në këto rrethana, po arrijmë t’i furnizojmë mbi 95 për qind të konsumatorëve në vazhdimësi. Konsumi, që po arrin nivele rekorde historike deri në 1500 megavatë në orë, po mbulohet komplet nga prodhimi vendor dhe importi, i cili po arrin deri në 500 megavatë në orë. Bashkëpunimi juaj është thelbësor në këto ditë. Apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të bëjnë kursim maksimal të energjisë, posaçërisht të kujdesen për ngrohjen me rrymë, në mënyrë që të lehtësohet gjendja dhe rrjeti distributiv ta përballojë më lehtë”, thuhet në njoftim. /21Media