Këshilli i Etikës i UP-së merr vendim për profesorin Xhevat Krasniqi që u raportua për ngacmim seksual

Pasi nuk morën vendim në mbledhjen e datës 22.04.2024, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka vendosur sot (23.04.2024) në lidhje me profesorin e rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.

Se kanë marrë vendim e kanë konfirmuar dy anëtarë të KE-së, Arben Hajdari dhe Skender Muji.

Këshilli i Etikës i UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina, Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica.

KALLXO.com në bisedë me Hajdarin dhe Mujin ka insistuar të kuptojë nga ta se cili është ky vendim i tyre ndaj profesorit Krasniqi, mirëpo ata kanë refuzuar ta tregojnë atë.

Ata kanë thënë se vendimin do të publikojnë Rektorati i UP-së.

“Unë mendoj që del tash zyrtarisht vendimi që është marrë kështu që nuk jam i autorizum me thënë asnjë gjë tjetër, besoj që shpejt del lajmi, lajmi zyrtar kur del prej Rektoratit” – ka thënë Hajdari.

“Po, zyrtarisht ka ngel menaxhmenti i UP-së me publiku (vendimi i KE-së). Na e kena marrë një vendim tashti menaxhmenti e bën publike”, tha Muji.

Ky vendim i KE ndaj Krasniqit vjen pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga UP./kallxo

Back to top button