Këshilli i Ministrave në KiE aprovon rekomandimin kundër padive SLAPP

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka njoftuar se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka aprovuar Rekomandimin e Këshillit të Evropës Kundër Padive SLAPP [Padia strategjike kundër pjesëmarrjes publike].
Kusari ka njoftuar se draftimin e tij e ka bërë bashkë me ekspertin, që ajo e quan të jashtëzakonshëm, të fushës së lirisë së shprehjes, Tarlach McGonagle.
“Pas gjysmë dekade avokim dhe pune, kemi arritur të kemi Direktivë dhe Rekomandim të BE-së kundër Padive SLAPP dhe Rekomandim të Këshillit të Evropës, të cilat instrumente ofrojnë standarde për mbrojtjen e gazetarëve dhe aktivistëve nga paditë e pabaza që bëhen për t’u shkaktuar atyre stres, humbje kohe dhe dekurajim nga gazetaria dhe aktivizmi. Nga tani fillon avokimi për zbatimin e standardeve në praktikë në kontinentin e Evropës”, ka shkruar Kusari.