Këshilli i Prindërve të Kosovës kundër grevës: Mësimi të fillojë më 1 shtator

Këshilli i Prindërve të Kosovës i ka dalë kundër grevës së SBASHK-ut.
Përmes një njoftimi, ata deklaruan se “është e papranueshme që me 1 shtator nxënësit të jenë në shtëpi”.
“Është e papranueshme që më datë 1 shtator fëmijët tanë nxënës të jenë në shtëpi, duke qenë se kjo është edhe një ditë feste.  Fëmijët gëzojnë të drejtën kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe Qeveria obligohet ta mbrojë këtë të drejtë. Greva e tërësishme dhe e pakufizuar në sistemin arsimor është veprimi më ekstrem sindikal që godet drejtpërdrejt vetëm fëmijët e prindërit. Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve është shumë i rëndësishëm për të mos u trajtuar si prioritet i qeverisjes. Lusim të dyja palët që të lëvizin nga qëndrimet aktuale dhe t’i japin mundësi dialogut. Këshilli i Prindërve i Kosovës do të angazhohet për të fuqizuar rolin e vet në arsimimin parauniversitar”, u bë e ditur në njoftim.
Ndërkaq, edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë bërë të ditur se mësimi duhet të fillojë nesër, siç ishte paraparë dhe se “askush përveç autoriteteve qendrore e lokale të përcaktuar sipas legjislacionit nuk ka të drejtë të shpall mbylljen e shkollave”./21Media

Back to top button