KPK siguron transparencë në procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dje ka marrë vendim për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, derisa sot ka informuar se njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit të 208 të saj, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e Konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces. Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, sikurse në proceset e tjera, edhe në këtë proces do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparente zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Republikës së Kosovës.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shtuar se e vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme që po japin partnerët ndërkombëtarë, andaj edhe do të vazhdojë të bashkëpunojë për të gjitha proceset e sistemin prokurorial të Kosovës, me qëllim të fuqizimit dhe ngritjes së vazhdueshme të efikasitetit të këtij sistemi.
Ambasada e Britanisë në Kosovë sot ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili ka shpallur konkurs për Kryeprokuror të Shtetit. Ambasada Britanike ka theksuar se ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe se së fundmi, kanë ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. “Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor.”, është bërë e ditur në reagim./21Media

Back to top button