Këshilltari i Besnik Bislimit: Vuciqit po i ekspozohen rrenat, atij po i beson vetëm faktori ndërkombëtar

Klisman Kadiu, Këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq po i ekspozon gënjeshtërtat e tij.Kadiu tha se për çudi atij i beson vetëm faktori ndërkombëtar.

Kadiu në një postim në Facebook, përmendi një intervistë të presidentit serb, Vuciq, i cili ka thënë se nuk ka ndikim te serbët në veri të Kosovës.

Gjithashtu, ai përmendi edhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që të mërkurën tha se Vuçiqi i ka premtuar se do të ndikojë te serbët në veri që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

“Tash, a i kontrollon apo nuk i kontrollon? A ka ndikim apo nuk ka ndikim? Pse flet me kaq siguri për sjelljen e serbëve Vuçiq, kur sipas fjalëve të tij nuk i kontrollon ata? Ku e merr këtë guxim për të dhënë siguri veç një javë më vonë tek ndërkombëtarët?”, shkroi Kadiu.

Sipas tij, Aleksandër Vuciqit i intereson ruajtja e status quo-së, kaosi, e tentativat e panumërta për destabilizimin e Kosovës. “Atij i pengon progresi i vendit tonë, i pengojnë marrëveshjet e mëhershme dhe të tashme që duhet t’i implementojë, i pengon shteti i Kosovës. Sepse siç ka thënë dhe ai vetë në 2018, “nuk e kam ndërmend ta dorëzoj veriun e Kosovës”. E kështu pra thoshte në 2018 ky person, që në CNN thotë se “nuk i kontrollon bandat në veri”, shtoi Klisman Kadiu./21Media 

Back to top button