Këta janë ministrat e propozuar nga koalicioni VV-LDK!

Pas marrëveshjes për bashkëqeverisje

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur gjatë ditës së sotme se cilët do të jenë emrat që do të propozohen për ministra në Qeverinë Kurti.

Zëdhënësi i LDK-së dhe deputeti i legjislaturës së shtatë, Besian Mustafa pritet të jetë ministër i Bujqësisë, Anton Quni për ministër të Mbrojtjes dhe Lumir Abdixhiku pritet të jetë ministër i Infrastrukturës dhe Transportit.

Dy gratë e propozuara për ministre, nga radhët e LDK-së janë, Vlora Dumoshi që pritet të jetë në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Hykmete Bajrami që do të udhëheqë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Avdullah Hoti është propozuar si zëvendëskryeministër i parë, shkruan rtv21.tv.

Të propozuarit e Lëvizjes Vetëvendosje ishin bërë publikë qysh më herët në një video të publikuar nga kryetari Albin Kurti, mirëpo këtij propozimi i është shtuar tash edhe Glauk Konjufca si ministër i Punëve të Jashtme.

Ministre e Drejtësisë është nominuar Albulena Haxhiu, për Ministrinë e Financave Besnik Bislimi, Rozeta Hajdari ministre e Ekonomisë, Arben Vitia ministër i Shëndetësisë, dhe në fund Blerim Reka është propozuar si ministër i Integrimeve Evropiane.

Për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë është propozuar Haki Abazi.

Sipas marrëveshjes së arritur, Qeveria e re do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra./21Media

Back to top button