Këtë javë sërish diskutohet në Bruksel për dinarin

Janë bërë një muaj e gjysmë që nga miratimi i rregullores së BQK-së e cila parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb, ndërkohë Bashkimi Evropian edhe këtë javë do ta bëjë përpjekjen e radhës për të gjetur zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve në Bruksel. I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga kryenegociatorët ai i Kosovës dhe Serbisë të shkojnë në takim me mendje të hapur dhe më fleksibilitet për të gjetur zgjidhje .

“Në fund të kësaj jave do të pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Pres që të dyja palët të vijnë në takim me një mendje e hapur, qasje fleksibël, e orientuar drejt zgjidhjes dhe e bazuar në idetë e paraqitura gjatë takimeve të mëparshme”, tha Lajçak

Qeveria e Kosovës është shprehur e palëkundur në qëndrimet e saj se rregullorja e BQK-së nuk është duke u diskutuar në Bruksel me palën serbe, por vetëm modalitetet e zbatimit të saj.

‘’Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së.  Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin, rrjedhimisht as nuk ka diskutime për dinarin. Serbisë i është bërë e qartë që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis”.

Serbia po kërkon që të jetë e përfshirë në vendimin e rregullores se BQK-së përmes propozimeve të saj që ka dorëzuar në Bruksel kohë më parë. Por, kjo është kundërshtuar nga Kosova duke e cilësuar si ndërhyrje në çështje të brendshme ligjore dhe kushtetuese. Deputeti i partisë në pushtet Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, tha për rtv21 tha se dinari ka filluar të largohet nga transaksionet në veri të vendit.

‘’Nuk ka se çka të bisedohet për dinari sepse ka filluar të largohet dinari nga transaksioni në veri të vendit. Gjithçka po shkon sipas kushtetutës së Kosovës”, tha Bajqinovci për rtv21.

Bashkëpunëtori i RTV21, analisti politik Artan Muhaxhiri, vlerëson se ka indikacione që pozicioni i Kosovës dhe BE-së është përafruar për çështjen e dinarit, pas një propozimi të ndërmjetësit Miroslav Lajçak. Por, thotë se dallimet midis palës kosovare dhe asaj serbe do të çoj drejtë dështimit të radhës.

‘’Pozicionet e Kosovës dhe të Serbisë mbetet të kundërta dhe kjo mund të qoj deri në dështimin të takimit të radhës. Dështimi do të hapë probleme të mëdha edhe tek marrëveshja normalizuese. Ky është një dështim i BE-së dhe kjo nuk është hera e parë. BE-ja ka qenë e pafuqishme për ta imponuar zbatimin e marrëveshjeve”., tha Muhaxhiri 

SHBA-ja dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë bërë thirrje që të gjendet një zgjidhje për çështjen e dinarit midis Kosovës dhe Serbisë./RTV21/21Media

Back to top button