Këto janë vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

Tri vendime dhe gjashtë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe që janë në pajtim me fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, i ka miratuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt.
Vendimi i parë në mbledhjen e sotme ishte themelimi i Këshillit Organizativ për manifestimin gjithë-popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila do të mbahet nën patronatin e kryeministrit Albin Kurti.
“Duke vlerësuar se Epopeja e UÇK-së e ndryshoi historinë e Kosovës për mbarë dhe e bashkoi popullin tonë, duhet të kujtojmë ditët 5, 6 dhe 7 mars, sakrificën e familjes Jashari dhe qëndresën e tyre”, tha  Kurti.
Duke propozuar këtë Këshill, kryeministri theksoi se “gjithçka që bëjmë e veprojmë, çdo progres i yni duket pak, krahas gjithçkaje, që ata dhanë. Duke iu falënderuar atyre, dëshmorëve e martirëve, jemi edhe ne sot këtu. Kujtimi për ta na bën të vetëdijshëm, që ata nuk harrohen, që ne duhet të qëndrojmë, të mos dorëzohemi e ta ndërtojmë Republikën, që ua kemi borxh”.
Kryeministri propozoi Këshillin Organizativ në këtë përbërje:
1. Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes, Kryesues;
2. Donika Gërvalla – Schwarz, Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës;
3. Fadil Nura, Kryetar i Komunës së Skenderajt, anëtar;
4. Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, anëtare;
5. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;
6. Xhelal Sfeçla, Ministër i Punëve të Brendshme, anëtar;
7. Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;
8. Bislim Zogaj, Drejtor i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, anëtar.
Gjithashtu u ftuan të dërgojnë nga një përfaqësues në Këshill: Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Komuna e Prishtinës, Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Organizatat e Shoqërisë Civile.
Në vazhdim është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.07/09 i datës 01.07.2020, sipas të cilit pikat 2, 3 dhe 4 të Vendimit Nr.07/09 të datës 01.07.2020 shfuqizohen, ndërsa shtohet pika 2 sipas të cilës: “Udhëzohet AKP të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran” dhe shtohet pika 3: “Asetet mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran”.
Marrë parasysh nismën e Qeverisë në drejtim të themelimit të Fondit Sovran, është e domosdoshme që të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike për utilizimin e tyre në qëllim të interesit shtetëror, përmes Fondit Sovran. Andaj, me qëllim të përmbushjes së obligimeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në pajtim me politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ky Vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, plotëson/ndryshon vendimin e Qeverisë Nr.07/09 i datës 01.07.2020.
Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për zbatimin e sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve të Bjellorusisë që janë të lidhura me regjimin e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Sanksionet konsistojnë në ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës; ndalimin e udhëtimit për individët e sanksionuar; dhe ndalimi për individët dhe entitetet në Republikën e Kosovës që të vënë fonde në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.
Në parim kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe nismat për lidhjen e marrëveshjeve financiare për IPA 2021 dhe IPA 2022, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Këto marrëveshje do të sigurojnë zbatimin e programeve vjetore dhe IPA 2021 parasheh përfitimin e 63,96 milion euro për projekte investive në vendin tonë dhe 70,25 milionë nga IPA 2022.
Edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Partneritetit për Kornizën Financiare në mes të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA III), ka marrë miratimin në mbledhjen e sotme. Kjo marrëveshje do të sigurojë krijimin e bazës ligjore që Kosova të ketë qasjen në këto fonde.
Në pritje të finalizimit të marrëveshjes me Gjermaninë për njohjen reciproke të patentë shoferëve, në mbledhjen e sotme janë miratuar vendimet për dy nisma për lidhje të marrëveshjeve me Qeverinë e Kanadasë dhe me Qeverinë e Republikës së Turqisë, për njohjen reciproke të patentë shoferëve. Ministria e Punëve të Brendshme është autorizuar të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për lidhje të këtyre marrëveshjeve.
Me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është miratuar edhe nisma për negocimin e marrëveshjes financiare me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do t’i siguronte Kosovës 6,315 000 (gjashtë milionë e treqind e pesëmbëdhjetë mijë) euro që do të dedikohen për efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtërishme të energjisë në vendin tonë./21Media

Back to top button