KFOR-i bën thirrje për shmangie nga veprimet e njëanshme dhe përmbajtje nga dhuna

KFOR-i u bën thirrje të gjithëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të përmbahen nga dhuna, në mënyrë që mos të pëshkallëzohet situata në veri të Kosovës.
Këtë deklaratë KFOR-i e bëri për RTV21, pasi u pyet se si i përgjigjen deklarimeve të Petar Petkoviq se “njësia speciale e Kosovës nuk mund të shkojë në veri dhe se nëse NATO nuk e ndal, këtë e bën populli serb”.
KFOR-i tha se është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, sipas mandatit të tij të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Komanda Rajonale e KFOR-it në Lindje ka rritur praninë e saj në afërsi të pikave të kalimit Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe ka krijuar disa pika të kontrollit të trafikut dhe ka rritur patrullimin në zonë së bashku me MSU-në e Karabinierëve dhe EULEX-it, e gjithë kjo siç thanë ata, për të rritur vetëdijen për situatën në veri.
“Për të përmbushur detyrat e veta, KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren”, tha KFOR-i.
Tutje kujtoi se çdo lëvizje e FSK-së në pjesën veriore të Kosovës kërkon njoftim paraprak dhe marrëveshje nga komandanti i KFOR-it.
“Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë pjesë e institucioneve vendore që merren me sigurinë. Policia mund të kryejë detyrat e saj në gjithë territorin e Kosovës, pa kufizime gjeografike. Çdo lëvizje e FSK-së në pjesën veriore të Kosovës kërkon njoftim paraprak dhe marrëveshje nga komandanti i KFOR-it. Kjo është në përputhje me një marrëveshje të mëparshme dhe NATO pret që institucionet vendore të vazhdojnë ta zbatojnë atë”, tha KFOR-i për RTV21.
Mandati i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë./21Media

Back to top button