KFOR-i: Ishin patrulla të përbashkëta me Forcat e Armatosura Serbe

(Lajm i përditësuar)

KFOR-i: Ishin patrulla të përbashkëta me Forcat e Armatosura Serbe

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO ka mohuar se xhandarmëria serbe ka hyrë brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Bervenik të Podujevës

Sipas KFOR-it, rreth orës 14:45, një njësi letoneze që i përkiste KFOR-it po përgatitje të fillonte një patrullë të planifikuar dhe të sinkronizuar me Forcat e Armatosura Serbe përgjatë dy anëve të kufirit.

“Në kohën kur u bë fotografia në fjalë, personeli letonez po koordinohej me homologët e tyre serbë, të cilët ishin pozicionuar në anën e tyre të vijës kufitare. Është e rëndësishme të theksohet se skuadra letoneze ishte pozicionuar më tej pas liderit të tyre, i cili ishte i përfshirë në koordinimin e aktiviteteve me Forcat e Armatosura Serbe. Imazhi mund të ishte prerë për të përjashtuar pjesët që përshkruanin liderin letonez duke biseduar me udhëheqësin e Forcave të Armatosura Serbe. Patrulla e sinkronizuar është kryer në mënyrë profesionale dhe në respekt të plotë të procedurave të përcaktuara mirë”, thuhet në reagim.


Policia: Në zonën kufitare patrulla të zakonshme të KFOR-it me autoritetet serbe

Policia e Kosovës ka mohuar se xhandarmeria serbe është futur brenda territorit të Kosovës, në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës.

Për rtv21 zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, tha se bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta që KFOR-i, me kontingjente të caktuara realizon me autoritetet policore serbe, njëjtë siç bën me Policinë e Kosovës.

“Bazuar në informacionet zyrtare bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta, që KFOR me kontigjente të caktuara, realizon me autoritet policore serbe, ashtu siç realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës”, tha Kelani.

Ndër tjera, Kelani deklaroi se Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë dhe parandalim të krimit trasn-kufitar./21Media

Back to top button