KFOR-i paralajmëron stërvitje rutinore në dy zona të Kosovës

Misioni i KFOR-it ka njoftuar se do të zhvillojë stërvitje rutinore ushtarake në afërsi të Sharrit dhe pranë Manastirit të Deçanit gjatë 5 dhe 7 shtatorit.

Nëpërmjet një komunikate për media, KFOR-i njoftoi se stërvitjet do të kryhen nga Komanda Rajonale Shumëkombëshe Perëndimore dhe do të fokusohet “në procedurat dhe përgatitjen e gatishmërisë operacionale të njësisë”.

“Ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit. Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizje si ditën ashtu edhe natën nga toka. Do të ketë gjithashtu autokolona mjetesh ushtarake të përbëra nga pajisje të rënda inxhinierike që do të udhëtojnë në rrugët kryesore dhe dytësore brenda zonës”, thuhet në njoftim.

KFOR-i ka shtuar se stërvitjet po kryhen për të ofruar përgjigje në kohë dhe të sigurt “sa herë që kërkohet”. Ës

“KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile gjatë gjithë periudhës së stërvitjes dhe kërkon bashkëpunimin e komuniteteve lokale gjatë këtij aktiviteti”, thuhet tutje.

Back to top button