KFOR-i për RTV21: Vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në terren

Në një përgjigje me shkrim KFOR-i, tha për RTV21 se pas sulmeve të fundit në veri të vendit është duke e përcjellë nga afër situatën në terren dhe se në rast të një sulmi tjetër të mundshëm ata janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik

“Trupat e KFOR-it vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik, në përputhje me mandatin e KFOR-it në OKB. Në përgjigje të tensioneve të fundit në Kosovë, NATO ka dislokuar qindra forca rezervë shtesë në operacionin tonë të KFOR-it në javët e fundit”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Gjithashtu KFOR tha se mandati i tyre nuk është për ruajtjen dhe zbatimin e ligjit, por që sipas tyre në përgjigje të tensioneve të fundit ata kanë shtuar praninë e tyre në atë pjesë të Kosovës.

“Dhe ne jemi duke bërë më shumë patrulla në veri të Kosovës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së në mënyrë të paanshme”, thuhet tutje në përgjigjen e KFOR-it./21Media

Back to top button