KFOR-i po përpiqet të marrë informacione nga Serbia për tre policët e rrëmbyer

(Lajm i përditësuar)


KFOR ka thënë se janë në kontakt me autoritetet serbe për të marrë “informacione zyrtare” për rastin e tre policëve të Kosovës.

“KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme lidhur me pjesëtarët të Policisë së Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacione zyrtare për atë që ka ndodhur”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për portalin rtv21.tv.


KFOR: Nuk jemi të përfshirë në këtë çështje

Tre zyrtarë policorë të  Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe sot në territorin e Kosovës.

Portali rtv21.tv ka pyetur KFOR-in për mandatin e tij për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe se a e kanë vërejtur hyrjen e policisë serbe në territorin e Kosovës?

KFOR-i përmes një përgjigje më shkrim ka thënë se nuk janë të përfshirë në këtë çështje.

“KFOR-i nuk është i përfshirë në këtë çështje, ju lutemi referojuni Institucioneve në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.


KFOR: Jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo skenari

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor, Angelo Michele Ristuccia ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, për të diskutuar lidhur me situatën e sigurisë në rajon.

Ristuccia ka shprehur shqetësimin për zhvillimet në komunat veriore të Kosovës dhe ngjarjet e 29 majit ku mbetën të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it nga protestuesit e dhunshëm serbë.

Pas Vuçiqit, ai ka takuar edhe shefin e Forcave të Armatosura serbe, me të cilin “u pajtuan se të gjitha palët duhet të depërshkallëzojnë tensionet”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

“KFOR-i është i gatshëm të përballet me çfarëdo skenari dhe vazhdon ta monitorojë situatën në terren”, thuhet tutje./21Media

Back to top button