KFOR i thotë JO Kosovës për dërgimin e FSK-së në veri: Ne po e mbajmë situatën nën vëzhgim

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR në një përgjigje për RTV21 tha se institucionet në Kosovë kanë kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për një dislokim të mundshëm të njësive të FSK-së në zonën e prekur në veri të Kosovës. Mirëpo, siç thuhet në përgjigjen e KFOR-it, komandanti nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet tashmë të ndërmarra nga KFOR-i.
“Sa i përket pyetjeve tuaja, në përputhje me zotimin e vitit 2013 të nënshkruar ndërmjet institucioneve në Kosovë dhe NATO-s, institucionet në Kosovë kanë kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për një dislokim të mundshëm të njësive të FSK-së në zonën e prekur në veri të Kosovës. Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet tashmë të ndërmarra nga KFOR-i. Siç është komunikuar në deklaratën tonë (bashkangjitur), KFOR-i ka dislokuar njësi për të siguruar zonën e Zobin Potokut të kanalit të dëmtuar të ujit. KFOR-i gjithashtu ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë, duke përfshirë mbështetjen logjistike dhe për asgjësimin e mjeteve shpërthyese”, ka thënë KFOR-i për RTV21.
Tutje në përgjigje thuhet se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë homologët e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe organizatat e sigurisë së Kosovës; dhe KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të gjatë të OKB-së, duke punuar në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.
“Ne po e mbajmë situatën nën vëzhgim”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj./21Media