KFOR: Kemi dëgjuar dhe parë të shtëna në rrethinën e Zubin Potokut

(Lajm i përditësuar)
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas raportimeve se ka pasur të shtëna në drejtim të tyre afër Zubin Potokut.
KFOR ka treguar se kanë dëgjuar dhe kanë parë disa të shtëna afër patrullës së tyre, por askush nuk është i lënduar dhe se makina nuk ka pësuar dëme materiale.
“Në këtë moment mund të konfirmojmë se pak orë më parë një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tyre. Askush nuk është lënduar dhe nuk ka pasur dëme në makinë”, ka thënë KFOR.
Raportimet për gjuajtje me armë në Zubin Potok, deklarohet Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka konfirmuar se nuk ka pasur sulm ndaj Policisë në Zubin Potok.
Sipas njoftimit të Policisë, gjithashtu nuk ka pasur as ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi.
”Referuar pyetjeve të shumta adresuar Policisë së Kosovës se, a është sulmuar Policia në Zubin Potok, apo a ka pas shkëmbim të zjarrit mes Policisë dhe grupeve kriminale, ju informojmë se; Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, thuhet në reagimin e Policisë.

Gjuajte me armë në Zubin Potok, dyshohet se është sulmuar KFOR-i
Gjatë mbrëmjes së sotme u raportua se është sulmuar një ekip i KFOR-it në Zubin-Potok.
Ende nuk dihen detaje rreth këtij sulmi, RTV21 ka kontaktuar policinë e Kosovës, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, në një shkrim në twitter ka thënë se “Krahas sulmit të Policisë së Kosovës, tani kriminelët serbë në veri të Kosovës të mbështetur nga rusët kanë sulmuar njësinë letoneze të KFOR-it”, ka shkruar Musliu.

 Lidhur me këtë sulm ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës.
Shefi i Stafit në Kabinetin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Blerim Vela ka thënë se mediat pro regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar rrejshëm se përleshjet po ndodhin pranë Zubin Potokut.
“Mediat pro regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar në mënyrë të rreme se përleshjet po ndodhin pranë Zubin Potokut. Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë përleshje. Strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë po gjuajnë me armë”, shkroi Vela./21Media

Back to top button