KFOR: Vendosja e FSK-së në veri kërkon pëlqimin paraprak të KFOR-it

KFOR-i i ka demantuar deklarimet e Listës Serbe se në veri në vendit janë dërguar trupat e FSK-së. Në një përgjigje për RTV21, KFOR ka bërë me dije se nuk ka pasur një kërkesë nga FSK-ja për një gjë të tillë dhe rikonfirmoi se ende është vlefshme marrëveshja e 2013 se FSK duhet të marrë pëlqimin nga KFOR për dërgimin në veri. Ministri i Mbrojtjes, Amend Mehaj, i ka quajtur dezinformata deklarimet e Listës Serbe. Ndërsa, anëtarët e Komisionit për Siguri thonë se FSK-ja me Kushtetutë e ka të garantuar të operojë në tërë territorin e vendit.
Është ri aktualizuar sërish përplasja midis institucioneve të vendit dhe përfaqësuesve serb për dërgimin e trupave të FSK-së në veri të vendit. Kjo pas pretendimeve të Listës Serbe se FSK-ja është pozicionuar në Zubin Potok dhe sipas tyre kjo është e patolerueshem. KFOR-i në një përgjigje për RTV21 ka bërë të ditur se nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga FSK-ja për dërgimin e trupave në veri. Rithekson se marrëveshja e vitit 2013 për marrjen e lejes nga KFOR-i është ende në fuqi.
KFOR
“Sipas marrëveshjeve ekzistuese, vendosja e FSK-së në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të KFOR-it. KFOR-i nuk ka pranuar asnjë kërkesë të fundit nga FSK-ja në lidhje me këtë. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së (bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999) për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës. KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren dhe komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e Organizatave të Sigurisë së Kosovës dhe Shefin e Mbrojtjes së Serbisë”.
Ministri i Mbrojtjes, Amend Mehaj, ndërkohë i është kundërprgjigjur Listës Serbe duke i quajtur dezinformata dhe deklarime dashakeqe pretendimet e saj për gjëja praninë e trupave të FSK-së në Zubin Potok.
“Këto lajme të rrejshme i cilësojmë dezinformata të rrezikshme me qëllim të krijimit të klimës së tensioneve dhe tendencës për dëmtimin e imazhit Republikës së Kosovës dhe të FSK-së në aspektin ndërkombëtar, por realisht qytetarët tanë pa dallim etnie kuptojnë drejt rolin mbrojtës të FSK-së dhe padyshim është e qartë edhe hapësira gjeografike që Ushtria e Republikës së Kosovës bashkë me partnerët ndërkombëtarë mbulon, pra çdo cep të shtetit”, ka thene Ministri i Mbrojtjes, Amend Mehaj.
Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Bekë Berisha, thotë se nuk janë të rëndësishme deklarimet e përfaqësuesve të Listës Serbe. Sipas tij në koordinim me ndërkombëtarët FSK-ja do të ndërtojë kazermë në veri.
Anëtari i Komisionit për Siguri, Hisen Berisha, pretendimet e Listës Serbe i quan thjeshtë për konsum politik.
Sa i përket shtrirjes së operimit të FSK-së, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Bekë Berisha, thotë se Ushtria e ka të garantuar me kushtetutë mbrojtën e territorit të vendit.
Anëtari tjetër i Komisionit për Siguri, Hisen Berisha, vlerëson se kufizimet në bazë të marrëveshjes me KFOR-in nuk kanë të bëjnë se Kosova nuk po e shtrin sovranitetin edhe në veri, por me përmbushjen e kapaciteteve ushtarake.
Të dy anëtarët e Komisionit për Siguri, Bekë Berisha dhe Hisen Berisha, vlerësojnë se Ushtria e Kosovës ka nevojë urgjente për ngritjen e kapaciteteve ushtarake si dhe rritjen e buxhetit./21Media

Back to top button